Ministria e Mjedisit

Strategjia për edukimin ligjor të publikut (SELP) përcakton vizionin, objektivat strategjikë dhe specifikë të edukimit ligjor të publikut (ELP) përgjatë periudhës 2019-2023. SELP është dokumenti i parë strategjik i miratuar në Shqipëri me fokus të veçantë edukimin ligjor të qytetarëve. Ky dokument është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës hartimi dhe konsultimi. Njohuritë mbi ligjin dhe edukimi ligjor i qytetarëve luajnë një rol thelbësor në çdo shoqëri demokratike, ku sjellja, veprimet dhe marrëdhëniet mes tyre disiplinohen nga norma e rregulla ligjore. Këto norma e rregulla janë ndonjëherë komplekse apo u nënshtrohen ndryshimeve të vazhdueshme.

Mungesa e njohurive ose njohuritë e pamjaftueshme mbi ligjin dhe legjislacionin, në përgjithësi, passjell situatën ku qytetarët nuk kuptojnë të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin prej tyre. Për më tepër, e gjitha kjo rrënjos një kulturë të mosrespektimit dhe moszbatimit të ligjit në shoqëri, e cila përbën një kërcënim të qenësishëm për shtetin e së drejtës. Aksesi i publikut në njohuritë mbi ligjin, është themelor për garantimin e një sistemi drejtësie efektiv. Kështu, informimi dhe dhënia e njohurive për ligjin, mbi të drejtat, institucionet ligjzbatuese, përgjegjësitë etj. nuk janë të lidhura vetëm me arsimimin juridik, por janë përbërësit e kulturës dhe nevojës qytetare për qasjen ndaj shtetit të së drejtësi .

Gjithashtu, ELP ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet e qytetarëve me organet e administratës publike. Duke pasur dijeni mbi legjislacionin, qytetarët kuptojnë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve të administratës publike. Kështu, ata janë në gjendje t’ia referojnë çështjen e tyre organit përkatës, duke formuluar saktë kërkesat dhe ankesat që adreson. Përpos raportit të qytetarëve me institucionet e administratës publike, niveli i njohurive juridike luan rol kyç në sjelljen e vetë qytetarëve në sektorë të ndryshëm të jetës, si në marrëdhëniet e tyre familjare, të punës, ato juridiko-civile, ashtu dhe në veprimet e vendimet e tyre në mbrojtje të shëndetit, sigurisë, mjedisit etj. Njohja e legjislacionit që rregullon marrëdhëniet ku qytetarët janë të përfshirë, i nxit ata të respektojnë ligjin, i bën të shmangin veprimet e jashtëligjshme dhe të reduktojnë konfliktet.

Per me shume gjeni:

Vendimi I Keshillit te Ministrave 47/2019, “Për Miratimin e Strategjisë për Edukimin Ligjor të Publikut 2019-2023” 

Vendimi I Këshillit të Ministrave 878/2020, “Për Miratimin e Planit të Veprimit 2020–2023, në zbatim të Strategjisë së Edukimit Ligjor për Publikun 2019-2023”